Deputetët e PDK’së Haradianajt: Demarkacioni duhet të zgjidhet para muajit nëntor

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministrit Ramush Haradinaj i është kërkuar që sa më shpejt ta zgjidh çështjen e Demarkacionit, në mënyrë që qytetarët e vendit të mund të lëvizin pa viza, më së largu deri në fund të vitit.

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj, që të ketë kujdes, në raportet e Kosovës me SHBA’në, BE’në e NATO’n, që raportet e partneritetit t’i avancojë edhe më tutje, e jo t’i dëmtojë ato.

“Qeveria e Kosovës në rend të parë duhet të zgjidh një problem i cili prej dy vitesh po e mban peng vendin, dhe është bërë pengesë për hapërimin në rrugën europiane. Pra, ne duhet të zgjidhim Demarkacionin për të vazhduar me zgjidhjen e problemeve tjera që i ka ky vend”.

Kosova sipas Haxhiut mund të hapërojë drejt BE’së, vetëm duke e ruajtur dhe forcuar partneritetin me SHBA’në, BE’në dhe NATO’n.

“Demarkacioni me Malin e Zi nuk është vetëm çështje mes nesh, mes nesh dhe Malit të Zi, por është edhe çështje mes nesh dhe partnerëve tanë gjeostrategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe NATO’s. Prandaj ne e kemi për obligim që ta zgjidhim këtë problem, që të hapërojmë tutje. Ramush Haradinaj, si një patriot, kryeministër që vjen nga një familje e cila ka dhënë shumë për këtë vend, e ka për obligim që këtë partneritet me SHBA’në, BE’në dhe NATO’n, ta ruaj dhe sforcojë, sepse është një nga bazat e themelimit të shtetit dhe lirisë tonë”.

“Pra, Demarkacionin ne duhet ta zgjidhim para festave të nëntorit, me qëllim që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin pa viza gjatë festave të fundvitit”, ka thënë ndër të tjera deputeti Haxhiu.