Sabit Geci: U burgosa i pari, do të lirohem i fundit (1)

Në një intervistë ekskluzive për ‘Lajm’, ish-ushtari i ditëve të para të luftës së UÇK-së dhe tani i dënuar për “krime lufte”, Sabit Geci flet për prokurorinë, gjykatën dhe burgun. Po ashtu, Geci rrëfen edhe luftën, betejat dhe shokët e UÇK-së dhe për montimet pa fakte që i kanë ndodhur atij si luftëtarë i lirisë duke e akuzuar për veprime të sajuara përmes të cilave edhe gjykata e ka dënuar si shkelës të ligjit

Dibran Fylli

Prishtinë – Kjo intervistë me Sabit Gecin, shumëkujt do t’i duket se është pjesë e ndonjë romani e dikujt ndoshta edhe skenar filmi. E vërteta është se mund të jetë edhe ashtu edhe kështu, por ama se është një skenar interesant që trajton ngjarje reale e në vazhdime të pafundme, kjo s’ka dilemë. Ai që nuk e beson, le të urdhërojë e të bisedojë vet me Sabitin. Ai është mikpritës edhe në këso rrethanash, i hapur që të bisedoi me këdo, përkundër të gjitha vuajtjeve, i fortë e i afërt me të gjithë ata që e çmojnë dhe e respektojnë gjakun e dëshmorëve dhe vlerën e Luftës së lavdishme çlirimtare. Gjatë një vikendi, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, jo rastësisht takova shokun e hershëm, bashkëluftëtarin e invalidin e parë të UÇK-së, z. Sabit Geci, i cili tash e sa kohë po mbahet herë nëpër burgjet unmikiane e herë në ato euleksoviqiane. Sabiti, edhe pse i sëmur, me shumë diagnoza thuajse të pashërueshme, kohë pas kohe, edhe pse nën kontroll të rrepta, këta far tipat e “drejtësisë” po tregojnë kinse humanistet e po e sjellin për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë. Sabiti, edhe pse në gjendje shumë të rënd shëndetësore, ndau kohë për ta zhvilluar një bisedë në formë interviste e që flet për vuajtjet e këtij njeriu të palëkundur nga udhët e tij të sakrificës.

D. Fylli: Z. Sabit, ju njiheni si invalidi i parë i UÇK-së, i plagosur rëndë në Betejën e Likoshanit, por edhe i arrestuari i parë pas lufte, kinse për “krime lufte” nga UNMIK-u, pastaj edhe EULEX-i po vazhdojnë të të mbajnë ende nëpër burgje. Përse mendoni se po ndodh e gjithë kjo?

S. Geci: Unë mendoj se do të jem i fundit që do të lirohem nga këto marifetllëqe me të cilat po ngarkohem, por edhe jam më se i sigurt se kjo po ndodh vetëm për dy arsye: ose të më thyejnë moralisht e kombëtarisht, ose të më shkatërrojnë tërësisht nga shëndeti, por e kanë të kotë, sepse deri në frymën e fundit nuk do t’ua dhuroj atë kënaqësi as këtyre horrave as armiqve të mi.

D. Fylli: Ju një kohë të gjatë e keni kaluar nëpër hetuesi, u kanë mbajtur të paraburgosur gjatë kohë derisa e kanë kompletuar aktakuzën, kinse për krime. A keni kërkuar që të mbroheni në liri ose të paktën edhe në arrest shtëpiak?

S. Geci:
Jo që kam kërkuar, por as që më ka shkuar mendja, sepse kjo më është ofruar nga vet prokurorët ndërkombëtarë, por siç thonë “dardha ka bishtin pas”, ata kërkonin kushte nga unë e ato kushte ishin që unë të bëja ndonjë pisllëk dhe derisa unë nuk pranoja e as sot nuk do të pranoj për asnjë çmim, me lanë këtu e kështu si jam, bile prokurori Robert Din, më thoshte me një rast që të paktën të përgjigjesha në pyetjet e tij, as në atë mënyrë nuk kam pranuar dhe kjo është dashtë të ndodhë në mos për asgjë tjetër për shkak të gjendjes sime shëndetësore. Drejtësi nuk ekziston në Kosovë. Ata janë sjellë e po vazhdojnë të sillen në mënyrë shumë të padrejtë!

D. Fylli: Pse mendoni se “drejtësia” është sjellë dhe po vazhdon të sillet në mënyrë të padrejtë ndaj teje?

S. Geci:
Jo vetëm ndaj meje, por ndaj çdo çlirimtari, besa edhe ndaj atyre që nuk janë të arrestuar as nën hetime, sepse kur njolloset, ose të paktën tentohet të njolloset Lufta e Lavdishme e UÇK-së, bartësit e saj, komandantët e së fundi edhe Shtabi i Përgjithshëm, atëherë çka pritet t’i ndodhë më e keqe luftës së shenjtë dhe pjesëtarëve të saj?!

D. Fylli: Edhe kësaj here jeni akuzuar kinse për krime lufte. A mund të na thoni diçka më në detaje për akuzën e prokurorit?

S. Geci:
Akuza, mendimet, pohimet, seancat e të gjitha kanë qenë humbje kohe dhe shumë qesharake. Po si mund të akuzohen për krime ata të cilët kanë luftuar kundër kriminelëve, madje edhe me ndihmën e NATO-s? Kjo mund të ndodhë vetëm në ato vende që s’e njohin dhe s’e mbrojnë institucionalisht vlerën e luftës.

D. Fylli: Si dhe sa t’u shqiptua dënimi i fundit, dhe a mund të thuhet se ky është i fundit?

S. Geci:
Unë jam i sigurt se as i pari e as ky nuk është dashtë të ndodhin fare, por ja se në Kosovë ndodhin edhe këto gjera. Herën e parë më kanë dënuar pa asnjë fakt vetëm me thashetheme 6 vjet. Tash më kanë dënuar 15 vjet dhe si atëherë, si tash i njëjti nen, kinse për krime lufte. Kurse, a është ky i fundit nuk mund të thuhet, sepse këtu mund të pjellë edhe kali, derisa në vendet tjera normal pjell pela!

D. Fylli: Pse shokët e luftës dhe shteti që udhëhiqet nga ta nuk reagojnë në këso raste, në mos për asgjë për shëndetin tuaj?

S. Geci:
Shkurt e shqip vetëm pse nuk guxojnë, u mungon guximi! E thamë kështu, sepse vet heshtja e tyre ose deklarimi i pamjaftueshëm më bën të dyshoj se po frikësohen ose po i frikësojnë këto hijet e hienave të huaja.

D. Fylli: Tash jeni i shtrirë në spital, po trajtoheni për disa diagnoza dhe gjendja e juaj shëndetësore nuk është e mirë. Na thoni çfarë ju thonë mjekët?

S. Geci:
Se çka thonë mjekët dhe nga sa diagnoza vuaj, më së miri po ua tregoj këtë Memorandum-Raport i specialistit, nga Klinika e Kirurgjisë Vaskulare e lëshuar më 10.06.2013, nga prof. dr. Mehmet Maxhuni, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë dhe dr. Daut Cejku, kirurg i përgjithshëm dhe vaskular, kirurg ordiner si dhe shumë specialistë tjerë. Përshkrimi i disa nga diagnozat e Sabit Gecit, nga raporti i specialistit: Pacienti Sabit Geci, i hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë, Kirurgji Vaskulare, Kirurgjia Plastike, Ortopedi, Cardiologji, Infektivë:

Gjendja e tanishme:

Dg. Microthrombembolla Pulmonum Recidivans. (Sulm i droçkave të gjakut në qarkullimin arterial të mushkërive). Dg. Phlebothrombosis Recidivans Cruris L.Dex. Incipiens. (Përsëritje e mbylljes të venave të thella të gjymtyrëve të poshtme të djathtë). St.Post Phlebothrombosis Vfc 1.dex et Vfs et vv.Crurales 1.sin.a.10. (Gjendja pas mbylljes të venave të thella të gjymtyrës së poshtme të djathtë dhe të venave të nëngjurit të majtë që e ka përjetuar para 10 viteve). Sy.Postphlebiticium Extremitas Inf.Bill. (Gjendja e pasojave në gjymtyrët e poshtme të venave të thella). Venectasia Compensata Venorum Parietis Abdominis Pars. Infraumbilicalis. (Gjendje kompenzuese e zgjerimit të venave të murit të abdomenit nën kërthiz). (Gjendje pas sulmit mbyllës të arterieve pulmonale të mushkërive-përseritës). Hyperlipidemia. (Gjendje e nivelit të rritur të yndyrës në gjak-trashëguese). Status Hypercoagulable. (Gjendje e rritur e ngjizjes të gjakut-kagulimi i shtuar). St.Post. Microthrombembolia Recidivans a.m.9. (Sulm i përsëritur i droçkave të gjakut në mushkëri). Pacienti akoma nuk e ka të implantuar Cava filterin, për arsye ekonomike. (Implantimi i zgjeruesit të lëkurës nga Kirurgjia Plastike). Echo-Abdominis: Steatosis Hepatis Cysta Renis 1.dex. (Dr.Hysni Gërguri).



Dhjamosje e Mëlçisë-Cysta e Veshkës. Dg.Angioneuropathia Diabetica. (Gjendje e dëmtimit të fijeve nervore dhe enëve të vogla të gjakut-arteriolave si pasojë komplikuese e sëmundjes se sheqerit). Kirurgu plastik: St.Post Implantation Tissue Expander in reg.femoris 1.dex. (Dr.H.Arifi). Ortopedi: Abreviatio Extremitas Inferior L.Sin PP Fractura Aperta Femoris Et Osteosyntesis Hypotrophio Extremitas Inferior L.Sin. Coxarthrosis. Indikohet elengacioni sipas vange jashtë shtetit për të evituar faktorin prezent “Pllaka-trupi huaj”, të favorizimit të koagulimit – Thromboses. (Dr.A.Tolaj). Cardiologu: HTA. (Tensioni arterial). CMP chr. Hyperetensiva. (Pamjaftueshmëri e zemrës si pasoj e tensionit arterial). Angina Pectoris Instabilis. (Dhimbje të gjoksit jo stabile). St.Post Thrombembolia Pulmonum. (Gjendje pas sulmit embolik në mushkëri). Neurokirurgu: Hernia disi L3-L4-L4-L5. Scoliosis Thoraco-Lumbalis Spondylosis Lumbalis. ORL: Dg. TPL lat. Dex tip 1. Infektologu: Lesio Hepatis Susp.Cirrhosis Hapatis. Sipas sugjerimeve të ortopedit, për shërim jashtë vendit, për t’i shëruar vetëm një pjesë të këtyre sëmundjeve, Sabiti tregon një profaturë të lëshuar nga Spitali Amerikan më Nr. 188, dt.10.06.2013, e cila ka shumën hiq më pak se 13. 460. oo Euro. Për herë të parë publikohet fjala përfundimtare e Sabiti Gecit nga aktgjykimi i fundit, prill 2011.

KËTU PO SHKELET DREJTËSIA!

(Askush nuk duhej të ishte mbi ligjin)


“Fjala ime përfundimtare, në dëgjim të parë do t’u duket e pakuptimtë, pa lidhje dhe poetike, por për mua është e domosdoshme që të vërtetën ta them haptas para trupit gjykues e para krejt botës se: UÇK-ja dhe unë si pjesëtar i orëve të para, i rreshtuar pas Komandantit Legjendar Adem Jashari, kemi qenë, ishim dhe do të mbesim çlirimtarë të trojeve tona. Këtë ua garantoj unë në emër të gjakut të dëshmorëve që ranë për liri.

Se kemi bërë luftë të drejtë e çlirimtare, këtë më së miri e dëshmon ndërhyrja ushtarake e Forcave të NATO-s kundër forcave serbe që po mundoheshin ta shuajnë një popull nga faqja e dheut, e ky ishte populli im shqiptar që edhe unë ja fala ca pika gjaku duke lënë gjymtyrët e mija nëpër vija të frontit për lirinë e atdheut dhe nëse është nevoja prapë do të sakrifikohem e do të bëj luftë për lirinë e popullit tim. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është themeluar formalisht, por formimi i saj ishte i domosdoshëm, e lufta e fundit na ishte imponuar nga dhuna e tepruar e okupatorit shekullor serbosllav që po udhëhiqej nga krimineli Millosheviq dhe gjeneralët e tij të shfrenuar. Lufta e fundit e UÇK-së nuk ishte as e para e si duket nuk do të mbetet as e fundit për ne shqiptarët.

Unë e quaj luftë edhe këtë që po zhvillohet këtu e deri në Hagë dhe, nuk po i duket fundi i saj. Do ta quaja luftë speciale, në njërën anë për mbrojtjen e vlerave të luftës së shenjtë çlirimtare, e në anën tjetër do ta quaja sulmin më të rëndë mbi historinë e re për degradimin e këtyre vlerave që po insistohet nga misionet e huaja, herë UNMIK e herë EULEX. Kjo po ndodh për fat të keq me ndihmën e disa dëshmitarëve gënjeshtarë, shpirtzi e hiq shqiptar. Se ishim të okupuar me shekuj, të shtypur e të persekutuar, të nëpërkëmbur e pa të drejta, kjo s’do koment. Ishin kajlat e sulltanat që njëri pas tjetrit po i turreshin Kosovës me ligje e kanune të huaja, prandaj edhe lufta e shenjt e UCK-së, sikurse edhe luftërat tjera të shqiptarëve, ishin rezistenca kundër padrejtësive, dhunës, terrorit, përndjekjeve, burgosjeve, vrasjeve e çka jo tjetër që po ushtrohej mbi popullin e pambrojtur shqiptar të Kosovës.

Me vite e me shekuj kishte mos pajtime,kundërshtime e luftë pas lufte, jo për të sunduar, por për liri, për gjuhë e për flamur, që sot, në këtë shekull të mbrapsht gati sa nuk po duken asnjëra e as tjetra. Këtë punë nuk mund ta kuptoj as zoti!?. Erdhi fundshekulli XX e bashkë me te edhe zgjimi nga gjumi i popullit, formimi i Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare, lufta e saj dhe liria e shumëpritur. Të gjitha këto bënë që Kosova sot të jetë e lirë, aq sa është e lirë!?. Pra lufta, gjaku i derdhur për liri, sakrifica e popullit të shumë vuajtur bënë që populli të frymojë lirshëm. Me luftë e sakrifica u largua një armik i përbetuar i Kosovës dhe na erdhën 30 tjerë nën maskën e miqësisë, me emrin UNMIK e EULEX.

Edhe ashtu pak kanë ndryshim këta dy emra, kanë të njëjtin veprim. Tani vendi prapë ndodhet në riokupim me plane për ricopëtim, sundim e degradim të vlerave më sublimë, të Luftës Çlirimtare, por tani me një okupator modern me ligje të përtërirë nga ish sistemi i kaluar... Të mos e quash këtë vend të riokupuar dhe në tentim për ta bërë copë-copë nuk mund të thuash se ke thënë të vërtetën. Kjo nuk ka filluar rastësisht. Ka qenë dhe është e paramenduar edhe mirë bile. Të gjitha këto që po ndodhin janë procese të montuara e të motivuara politikisht. Janë procese të turpshme e të pakuptimta fare. Këto po bëhen për ta barazuar krimin serb me luftën e drejtë të UÇK-së.

Po bëhen për ta injoruar vlerën më sublime të popullit shqiptar, edhe atë me skenarë të ndyra e me personazhe të paramenduara, duke e krahasuar çlirimtarin me kriminelin, duke i quajtur kriminel ata që e ndaluan dhe e luftuan krimin. Kjo filloi me kurdisjen e skenarit për ngritjen e aktakuzës për “Rastin e Merdares” pastaj vazhdoi me suspendimin e gjashtë komandantëve të UÇK-së, me rastin “Manaj”, rastin “Drini”, rastin “Raci”, arrestimin e komandantëve dhe ushtarëve të Zonës Operative të Dukagjinit, të Llapit e të zonave tjera, pastaj me rastin “Hajra” dhe po vazhdon me rastin herë “Shtëpia e verdhë” e herë “Shtëpia pa ngjyra” e Dikmartoviqit e herë rasti “Kleçka” dhe shumë raste tjera që janë vetëm imagjinata të pakuptimta të prokurorëve euleksian me ndihmën e dëshmitarëve të rrejshëm, por gjithsesi e vërteta ka filluar të dal në shesh dhe “drejtësia” ndërkombëtare po dështon për ditë e më shumë. Unë do pyesja: A ka drejtësi në Kosovë dhe nëse po, për kë punon ajo? Kur dihet fare mirë së ligji bashkë me forcën kanë mbetur në duart e okupatorit.

Unë çuditërisht nuk po e kuptoi pse luftuam? E po kush thotë së nuk luftuam kundër ligjeve jugosllave!? Kështu po vërtetohet thënia e lartcekur “E larguam një armik të përbetuar e na erdhën 30 tjerë me emrin unmikoeuleksian”. Unë, që kohën më të madhe pas lufte e kalova pas grilave të ndryshkura herë unmikiane e herë euleksiane, mendoi dhe jam i sigurt se është koha që dëshmitarët e shitur ta braktisin të keqën nga mendja e t’i ndalojnë të shpifurat kundër çlirimtarëve Është koha që ta çmojnë vlerën e luftës së lavdishme çlirimtare. Unë besoi së këtë e dinë edhe ata vet.

Kush janë ata unë s’mund ta di por koha do t’ua tregoi fytyrat e tyre të marrosura e pastaj edhe fëmijët e tyre do t’i quajnë argat të të huajve, kurse unë assesi s’mund t’i pranoi si shqiptar ata që vetëm dinë ta flasin gjuhën shqipe e atë ta shfrytëzojnë me shpifje e gënjeshtra. Për fat të keq kjo po vjen pikërisht nga ajo pjesë e popullit të cilin e mbrojtën çlirimtarët dhe ju gjenden pranë në momentet më të vështira, duke dhënë ndihmë në mënyra të ndryshme e me sakrifica të mëdha. Këto akuza e shpifje të turpshme një ditë do të përfundojnë së bashku me dëshmitarët shumëfytyrësh në zjarrin që po vazhdon të ndizet nga secili në mënyrën e vet. Të gjitha këto do të shkruhen si kapitull i turpit në histori.

Nuk dua dhe nuk kam për qëllim të lëshohem në detalet e akuzës sime, sepse tashmë këto aktakuza janë bërë përditshmëri e jona prej të cilave nuk ka e as nuk do ketë asgjë serioze, veçse zhvillim i një loje të përkohshme të turpit unmikoeuleksian. E vërteta është se na luftuam ta mbrojmë popullin nga barbaria serbe, por jo që në liri të akuzohemi nga ajo pjesë e popullit e cila u është adoptuar menjëherë të huajve dhe për hatrin e tyre po vjellin zjarr mbi vlerat e luftës çlirimtare.! E gjitha kjo që u tha më lart,është vetëm një pjesë e turpshme e turpeve të një procesi të montuar që bie mbi ndërgjegjen e një trupi gjykues të udhëhequr nga gjyqtar ndërkombëtar. Sidoqoftë,e pa bëre mund të mëveshët por jo gjatë kohë.

Të huajt gjithmonë mbesin të huaj dhe një ditë nuk do të jetë më këtu, kurse këtu, që po pretendojnë ta marrin identitetin e së drejtës, zor se do t’u eci puna mbar. Këta do t’i përcjell turpi derisa ta dorëzojnë shpirtin para djallit!... Unë sot edhe mund të dënohem nga kjo gjykatë,por,nuk e kam të qartë në emër të cilit popull jam duket u dënuar ?!. Qysh me fillimin e seancave u pa ky proces është i montuar,plot politikë,me njëmijë faqe te zeza,akuza e ndërtuar mbi gënjeshtra,pa fakte e prova,me dëshmitar te mbrojtur e të mbështetur mbi bazën shpifëse... Së dyti, prokurori publik është i njëanshëm dhe është përpjekur të rëndojë çështjen tine, dhe të mos e nxjerrë në pah të vërtetën, (sepse e vërteta është krime kanë bërë serbet e jo ne që e kemi mbrojtur popullin nga kriminelët).

Ai e ka bërë këtë duket ushtruar presion mbi dëshmitarët,apo duke i blerë ata me pak para!?, por e pavërteta gjithmonë mbetet e pavërtetë. Asnjë nga dëshmitaret në këtë lëndë nuk kishin arsye për të mos e thënë të vërtetën. Përfundimisht,është krejt e papranueshme të paraqitet një ngjarje e re me plot të pa vërteta.

Nuk është e vërtetë se unë kam marrë pjesë në ndonjë krim apo vepër kundërligjor, vetëm nëse i thonë krim luftës për liri ë bashkim kombëtar, ashtu siç jam i sigurt se as UÇK-ja, as komandantët e saj e as edhe një pjesëtar i saj nuk kanë marrë pjesë në akte kriminale, në të kundërtën, ne e kemi mbrojtur kombin, atdheun dhe popullin tonë, ashtu siç jemi të gatshëm ta mbrojmë edhe një milion herë nëse shtohet nevoja. Të sakrifikohesh për liri, drejtësi e demokraci, është nder dhe krenari.

Të shkelet ligji dhe të mos respektohet drejtësia, siç po ndodh në Kosovë, është turp! “Unë shpresoj se drejtësia herë do kur do të triumfojë, prandaj trupi gjykues le të vendosë si të vendosë, por nëse këtu ka drejtësi, atëherë jo vetëm unë, por të gjithë çlirimtarët që po mbahen pas grilave, për akuza të ngjashme, duhen të lirohen që ta gëzojnë këtë copëz lirie që e fituan me mund e sakrifica të mëdha, me gjak e me jetën e mbi 2000 dëshmorëve”.

Në vazhdimin tjetër:

-Për fillim të fundit

-Kush ishte në realitet Sabit Geci dhe familja e tij?

-Si e përshkruan betejën e Rezallës së re?

-Kush ishin protagonistët e kësaj beteje?

-Si u plagua Sabiti në Betejën e Likoshanit?

-Sabit Geci: Shul shqip për shokët e luftës?

-Për fund të fillimit: Vendimi i gjykatës.

Postuar nga Lajmonline: 8:54; 17/6/2013