Detaje për veprimet e të dyshuarve të “Grupit Drenica”

Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit publikisht që nga java e kaluar po heton për krime lufte shtatë ish-komandantë e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë sjell detaje të dyshimeve të prokurorisë ndaj “Grupit Drenica”, përfshirë ish-komandantët Sylejman Selimi e Sami Lushtaku, në lidhje me veprimet e tyre me të cilat kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të padefinuar të civilëve shqiptarë të mbajtur në Likovc.

Të enjten misioni ndaloi pesë nga shtatë të dyshuarit për krime kundër popullatës civile në burgun e UÇK-së në Likovc të komunës së Skenderajt.

Gazeta Jeta në Kosovë sjell detaje për pikat për të cilat hetohen të dyshuarit në mesin e të cilëve janë dhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sylejman Selimi, dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Të dyshuarit e tjerë, ish-pjesëtarë të “Grupit Drenica” janë Sahit Jashari, Avni Zabeli, Hysni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku.

Në një dokument që gazeta e siguroi nga EULEX-i, dyshimet për krime lufte që rëndojnë mbi Selimin, dikur Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK i njohur me nofkën e luftës "Sulltani", janë të radhitura në shtatë pika.

Selimi dyshohet për krime kundër popullatës civile meqë “në cilësinë e anëtarit të UÇK-së dhe si njeri që ka pasur kontroll mbi qendrën e burgimit në Likovc në bashkëkryerje me Sami Lushtakun, Avni Zabelin dhe Sahit Jasharin ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të padefinuar të civilëve shqiptarë të mbajtur në këtë qendër të burgimit”.

Selimi dyshohet poashtu se “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e dëshmitarit A, një civil i mbajtur në burgun e Likovcit me rrahje dhe shpulla dhënë brenda selisë” ku po mbahej i burgosuri “në disa data të papërcaktuara në gusht të 1998-ës”.

Ambasadori aktual i Kosovës në Tiranë, dyshohet se “në bashkëkryerje me Hysni Thaçin, Zeqir Demakun dhe disa ushtarë të paidentifikuar të UCK-së, në një numër të papërcaktuar rastsh kanë cenuar integritetin dhe shëndetin e dëshmitarit A…duke e grushtuar dhe rrahur me shkopinjë druni në pjesë të ndryshme të trupit të tij…në disa raste në gusht dhe shtator më 1998”.

Integriteti trupor dhe shëndeti i dëshmitarit i koduar me shkronjën A dyshohet të jenë cenuar nga Selimi përmes “rrahjes së tij me grushta dhe shkopinjë drunjësh, urdhërimin e dëshmitarit B, një civili tjetër të mbajtur në Likovc, për ta rrëzuar përtokë dëshmitarin A me një dërrasë druri dhe përmes pickimit me një mjet të hekurt të gjenitaleve të dëshmitarit A” dhe tërheqjes së tij përtokë me mjetin në fjalë.

Ish-komandanti i UÇK-së dyshohet se “në bashkëkryerje me një numër të paidentifikuar të anëtarëve të UÇK-së ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga fshati Gllanasellë, të mbajtur në burgun e Likovcit, duke e rrahur atë kur ai po pastronte dyshemenë e burgut”.

Në bashkëkryerje me Jahir Demakun, Selimi dyshohet ta ketë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin “e një personi të paidentifikuar nga Shipoli në zonën e Mitrovicës, i burgosur në qendrën në Likovc, duke e rrahur atë vazhdimisht”.

Ndërsa, në bashkëkryerje me Sahit Jasharin, ish-komandanti i UCK-së Sylejman Selimi dyshohet ta ketë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin “ e dëshmitarit i, një civili të burgosur në burgun e Likovcit, duke e rrahur atë vazhdimisht”.

Kryetari aktual i komunës së Skënderajt, dikur drejtues i zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku po hetohet nga prokurorët europianë për tri çështje.

Në shtator të vitit 1998 ai dyshohet se ka vrarë një të burgosur shqiptar “duke qëlluar atë tri herë në kokë me një pitoletë TT” në një lokacion në mes të fshatërave Galicë dhe Dubovc.

Lushtaku dyshohet se nga pranvera e vitit 1998 deri në muajt e parë të pranverës së 1999 “në bashkëkryerje me Avni Zabelin, Sahit Jasharin dhe Sylejman Selimin ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të paidentifikuar të civilëve shqiptarë të mbajtur në burgun e Likovcit”.

I pari i Skënderajt po hetohet nga EULEX-i për “mbajtjen e viktimës (dëshmitarit F të burgosur në qendrën e burgimit të UÇK-së në Likovc) para personave që kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e tij duke përforcuar qëllimin e tyre kriminal me praninë e tij”.

Këtë vepër, Lushtaku dyshohet ta ketë kryer në në fund të qershorit/fillim të korrikut të 1998ës në bashkë-veprim me Avni Zabelin, Sahit Jasharin dhe Xhevë Lladrovcin dhe tre ushtarë të tjerë të paidentifikuar të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që nga e shtuna të shtatë të dyshuarit janë në arrstit shtëpiak prej 30 ditësh.

Maurizio Salustro, prokurori i rastit, ka përmendur gjashtë dëshmitarë potencialë të cilët i ka emëruar me shkronja të ndryshme të alfabetit.

Postuar nga Lajmonline: 22:00; 27/5/2013