Korçë, pranga drejtorit Kufirit Ylber Zyberi, për korrupsion

Kontrabanda e mallrave me akcizë, ka çuar në pranga drejtorin e Policisë së Kufirit në Korçë, Ylber Zyberi. Ministria e Brendshme, ka bërë të ditur se, është “arrestuar në flagrancë drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës dhe shpallen në kërkim disa persona që dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që kryente kontrabandë të mallrave industrialë dhe aty me akcizë”.

Sipas ministrisë, sot, “u bë arrestimi në flagrancë i Ylber Zyberi, 41 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në qarkun e Korçës, i dyshuar se ka konsumuar veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “kontrabandës me mallra të tjera”, dhe “shpërdorimit të detyrës” në bashkepunim”.

Hetimit ndaj tij është bërë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, duke aplikuar metodat speciale të hetimit. Gjatë hetimeve, është bëri i mundur goditja e një grupi kriminal që kanë ushtruar për disa kohë kontrabandë të mallrave industriale dhe atyre me akcizë, jashtë pikës doganore, në kufirin jeshil, në afërsi të Fshatit Zaroshkë, Komuna Pustec (Liqenas), Korçë.

Në orën 04:20, të ditës së sotme, në fshatin Zaroshkë, u bë e mundur kapja në flagrancë e mjetit me targa bullgare “E 1233 KM”, i cili ishte i ngarkuar me mallra industriale, konfeksione, kontrabandë në sasi dhe vlerë të konsiderueshme, shkruan Shqiptarja.com.

Nga hetimet paraprake rezulton se Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës, Ylber Zyberi ka favorizuar në vazhdimësi kalimin e mallrave kontrabandë jashtë pikës doganore, duke shmangur shërbimet e policisë kufitare në vendkalimet e mjeteve të ngarkuara me mallra kontrabandë. Zyberi dyshohet se shpesh herë ka bërë edhe shoqërimin e mjeteve të ngarkuara me mallra kontrabandë me qëllim mos kapjen e tyre nga strukturat e policisë.

SHKB në bashkëpunim me Njesinë Task-Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, të shtrirë në kohë edhe me shumë persona të tjerë të dyshuar, si dhe me implikime te strukturave të policisë kufitare në Qarkun e Korçës.

Postuar nga Lajmonline: 12:03; 03/12/2013