Shërbimi SMS-Flexy-S ngrit cilësinë në arsim

Me aplikimin e shërbimit SMS-Flexy-S në disa shkolla të Kosovës është ngrit cilësia në mësim dhe ka rënë numri i mungesave të nxënësve.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, sipas të cilit bashkëpunimi i MAShT me kompaninë “aiKATE“ nga Zagrebi, për ofrimin e shërbimit SMS Flexy-S, disa institucioneve arsimore të Kosovës, ka dhënë rezultate të kënaqshme.

Mustafa ka thënë gjatë takimit me drejtorët e shkollave të mesme të larta të Kosovës, para të cilëve është prezantuar shërbimi SMS Flexy-S, se me vetëm 93 cent në muaj sa u kushton prindërve ky shërbim, do të forcohet komunikimi prindër – shkollë.

“Në këto shkolla rezultatet flasin se me aplikimin e këtij shërbimi ka rënie të numrit të mungesave, rënie të numrit të incidenteve dhe ka ngritje të suksesit të nxënësve”, tha Mustafa dhe theksoi se kjo e ka forcuar shumë komunikimin prindër – shkollë, i cili është i një rëndësie të madhe për suksesin e fëmijës së tyre.

Me anë të këtij projekti prindërit me anë të sms-ve do të informohen rreth mësimeve dhe sjelljeve të fëmijëve të tyre, derisa drejtorët e kanë mirëpritur shërbimin e ri por u kanë kërkuar zyrtarëve të ministrisë që të organizojnë takime të tilla informuese më shpesh.

Postuar nga Lajmonline: 14:38; 14/6/2013