Kultura dhe trashëgimia kulturore dhe historike e Prishtinës

Qyteti i Prishtinës është kryeqendër e kulturës dhe e zhvillimeve kulturore dhe artistike në Republikën e Kosovës.

Argjend Hasani

Në Prishtinë veprojnë mbi 30-të shoqëri kulturore dhe artistike,  të cilat kultivojnë dhe mbrojnë me fanatizëm traditat dhe vlerat kulturore të popullatës shqiptare  të rajonit të  Malësisë së Gallapit dhe  të Kosovës. Këto vlera  kulturore dhe artistike të folklorit autokton, klasik dhe modern shpesh prezantohen nëpër festivale brenda dhe jashtë vendit. Shoqëritë kulturore më të njohura që kanë marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare janë:  Ansambli Shota, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve të Universitetit të Prishtinës, SH.K.A. “Bajram Curri”, SH.K.A “Minatori”, Kori “Colegium Cantorum”, Opera e Kosovës, Trupa e Baletit të Kosovës. Në Prishtinë organizohen edhe festivale të ndryshme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Më i njohuri është Festivali Ndërkombëtar i Folklorit për Fëmijë “Ylberi i Prishtinës”, i cili është tradicional, i cili organizohet  për çdo vit dhe mbahet nën patronatin e Komunës së Prishtinës. Në këtë festival marrin pjesë shoqëri të ndryshme kulturore dhe artistike nga shumë vende të rajonit dhe të Evropës, ku prezantojnë vlerat kulturore dhe autoktone të vendeve prej nga vijnë. Tanimë është bërë tradicional organizimi i koncerteve  për Ditën e Çlirimit të Prishtinës më 12 qershor, dhe më 17 shkurt për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Koncerte, këto të cilat përcillen nga qindra e mijëra qytetarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është adresa e të gjithë adhuruesve  të fjalës së shkruar, sepse aty promovohen krijimet letrare dhe shkencore të poetëve, prozatorëve, romancierëve dhe shkencëtarëve më të talentuar të vendit.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare ka një sipërfaqe prej 16.500 m², ka 400 ulëse dhe një fond të pasur të librave. Biblioteka e qytetit  “Hivzi Sylejmani” është hapur në vitin 1945 dhe ka një fond  prej 97 mijë librave.   Të gjithë artdashësit e artit pamor punimet e tyre i ekspozojnë për adhuruesit e arteve të bukura në Galerinë e Arteve të Kosovës. Në qytetin  Prishtinë pas Luftës së Dytë Botërore vepron edhe Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i të Rinjve, i Fëmijëve dhe i Kukullave  “Dodona” i cili u formua  në vitin 1986, Teatri “Oda”, “Kosova Filmi” dhe Kinemaja “ABC”.

Trashëgimia kulturore dhe historike e qytetit  Prishtina

-Gjetjet arkeologjike në vendbanimet parahistorike dëshmojnë se Prishtina me rrethinë është e pasur me dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike dhe etnografike. Gjetjet në lokalitetet e Prishtinës si në Ulpianë, Tjerrtore,  Bardhosh, Barilevë, Gërmi dhe lokalitete të tjera i takojnë kohës së neolitit të hershëm, të mesëm si dhe kohës së Mbretërisë së Dardanisë. Statuja e Hyjneshës në Fron e gjetur në Tjerrtore dhe që aktualisht është edhe statuja e qytetit  Prishtina, e cila i takon mijëvjeçarit, është njëra ndër gjetjet më të rëndësishme, e cila ka hedhur dritë për vlerat e panjohura të kësaj periudhe. Aty u gjetën edhe kryevepra dhe fakte të tjera artistike të punuara nga artistët e kohës, të cilat, në krahasim me veprat e bashkëkohanikëve evropianë, ishin të përkryera. Qyteti   Ulpiana në shekullin II kishte marrë statusin e qytetit. Pas tërmetit në vitin 518 qyteti ishte rrënuar, mirëpo, atë e kishte rindërtuar perandori bizantin me origjinë ilire Justinian dhe e quajti Justiniana Secunda.

Qyteti  Ulpiana ishte i rrethuar dhe i mbrojtur  nga muret e trasha deri në tre metra dhe nga dy kulla gjysmërrethore të vendosura në çdo  27.5 metra.  Aty janë gjetur shumë eksponate, objekte arkitekturore, urna,etj. Arti dekorativ, arti i zbukurimit me figura gjeometrike në formë estetike, të cilat punoheshin në qeramikë me teknikën e gërvishtjes dhe të mbushjes së figurave  me ngjyrë të bardhë, ishin format më të shpeshta të punimeve nga artistët iliro-dardanë. Figurat zigzake, tufat e vijave në formë rrethi, trekëndëshi dhe rombi janë të lidhura me kulte matriarkale, kurse rrethi dhe kryqi i thyer përfaqësojnë diellin. Përveç qytetit  Ulpiana, lokalitetet e tjera në Prishtinë dhe rrethinë, vendbanimet,  qytetet dhe kështjellat dardane ishin në Sofali, Bardh i Madh, Veletin, Tenezhdoll, Damastion, Harilaq, Fusha e Badocit, Mat,etj. Kështjellat ishin të ndërtuara në kodra të larta dhe të rrethuara me mure të fortifikura dhe kulla të larta. Në qytetin Prishtinë ekzistojnë edhe shumë objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore arkitekturore, si: Xhamia e Mbretit, e ndërtuar në vitin 1461 nga Sulltan Fatihu II, Xhamia e Qarshisë, e ndërtuar në vitin 1389, Hamami i Qytetit, i cili ka 15 kupola dhe  është ndërtuar në shekullin XV-të, Tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit, e ndërtuar në vitin 1389, në vendin ku mbeti i vrarë gjatë Betejës së Kosovës mbreti turk Sulltan Murati. Kulla e Sahatit  është ndërtuar në shek. IX, nga Jashar Gjinolli, pashai me origjinë shqiptare, Kulla e Sahatit  ka një gjatësi prej 26 metrave. Veçohen edhe objekte të tjera të po  kësaj  rëndësie, si: Muzeu i Kosovës, Arkivi i Kosovës, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Pallati i Rinisë, i Kulturës dhe i Sportit, Shtëpia e Emin Gjikës, Kisha Katedrale e Kosovës, Kisha Katolike, Xhamia e Jashar Pashës, etj. Me planin urbanistik të qytetit në vitin 1953, është rrënuar Çarshia e Vjetër si dhe disa lagje të tjera, ku u zhdukën edhe gjurmët e vetme të arkitekturës së vjetër shqiptare në Prishtinë.

Monumentet kulturore dhe historike

Monumentet më të veçuara historike në Prishtinë janë: Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, i vendosur në Sheshin Skënderbeu, pranë Teatrit Kombëtar, Statuja e Nënës Terezë në Bulevardin me po këtë emër “Nëna Terezë”,  Lapidari i  Zahir Pajazitit, Obelisku i Pavarësisë “NEWBORN” (I Sapolinduri), që u përurua  në Ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008 dhe Statuja e mikut më të madh të Kosovës në të gjitha kohërat  që i dha fund golgotës shqiptare të Kosovës, Ish-Presidenti Wiliam Jeferson Clinton, statuja e të cilit është vendosur në Bulevardin me po të njëjtin emër “Bill Klinton” në hyrje të Prishtinës me dorën lart dhe është krenar me popullin e Kosovës. Institucionet që merren me hulumtimin, ruajtjen dhe  mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike  dhe bëjnë prezantimin e identitetit kulturor e kombëtar në Prishtinë dhe kudo në Kosovë dhe jashtë saj janë: Muzeu i Kosovës, Muzeu Etnologjik dhe Parku Arkeologjik, Instituti Arkeologjik dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve.

Postuar nga Lajmonline: 11:50; 07/3/2013