Anketa: PDK dhe LDK në balotazh, vendos VV

Lëvizja Vetëvendosje do të vendos se a do të jetë kryetari i ardhshëm i Prishtinës, i PDK-së apo i LDK-së. Kështu së paku mendojnë qytetarët, në anketën njëjavore të realizuar nga Agjencia e Lajmeve Kosovapress, “Kush mendoni se duhet ta udhëheq Prishtinën pas zgjedhjeve të ardhshme”.

Anketa ka nxjerrë me 28 vota me shumë, për herë të parë në Prishtinë, Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa, partinë që aktualisht udhëheq në kryeqytet, LDK-në, e ka renditur si të dytën, për të vazhduar me Lëvizjen Vetëvendosje, e pastaj AAK-në. Befasia e kësaj ankete është rënia drastike e AKR-së e cila në zgjedhjet e kaluara në Prishtinë ka fituar 15,315 vota ose 22,29%, ndërsa tani ka marrë vetëm 2% të votave.

Në anketën e realizuar nga Kosovapress, që ka qenë e hapur për një javë, kanë votuar gjithsej 2152 respodentë. Për PDK-në kanë votuar 710 respodentë, apo 33 për qind e votuesve të përgjithshëm. Për LDK-në, 682 respodentë, apo 32 për qind e pjesëmarrësve, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka dal e treta me 539 vota, apo 25 për qind. AAK e katërta me 110 vota, apo 5 për qind, të totalit. Ndërsa, e pesta është renditur AKR-ja me vetëm 49 vota, apo 2 për qind.

Për një kandidat të mundshëm të pavarur kanë votuar 50 respodentë, ndërsa 12 të tillë, nuk kanë zgjedhur ndonjë parti për ta votuar.

Partitë politike, të përmendura në anketën e Kosovapress-it, kanë dhënë mendime të ndryshme për rezultatet.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka pohuar se partia e tij, nuk u beson anketimeve të tilla, duke u shprehur i bindur se PDK asnjëherë nuk do të qeverisë me Prishtinën.

“Nuk u besojmë anketimeve të tilla dhe ne jemi të bindur se në Prishtinë dhe shumë komuna tjera LDK-ja do të fitojë. Ndërsa çështja e këtyre anketimeve dhe sondazheve janë të pabesueshme. Por, ne edhe po të dilnim të parët nuk i konsiderojmë valide dhe nuk i besojmë fare”, ka thënë Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e kaluara me Isa Mustafën ka fituar në rundin e parë me 39,306 vota apo 57,22%.

Ndërkohë, derisa PDK në zgjedhjet e kaluara me Astrit Salihun ka dalë e treta duke fituar 8,427 apo 12,27%, kësaj radhe ka dalë shumë e kënaqur dhe i beson sondazhit. Zyrtarë të PDK-së, potencojnë se këto rezultate të kësaj ankete janë reale dhe të pakontestueshme.

Lirak Çelaj, kryetar i kabinetit për Qeverisjes të Mirë, i PDK-së në Prishtinë, ka deklaruar se Prishtina ka nevojë për ndryshim të mentalitetit qeverisës dhe këtë sipas tij, e kanë pranuar edhe prishtinasit.

“Anketa e juaj përputhet shumë me realitetin që ne po e shohim në terren dhe jam thellësisht i bindur që ky edhe do të jetë rezultati pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen sivjet. Konsiderojmë se mentaliteti qeverisës do të ndryshojë komplet dhe do të jemi në shërbim të qytetarëve, ku projektet nuk do t’i realizojmë pa vendimin me qytetarët dhe do të ofrojmë afër veti njerëz kreativ dhe profesionistë. Dhe besoj se anketuesit e kanë parë këtë qysh në fillim të shpalosjes së programit tonë për Prishtinën”, ka thënë Çelaj.

Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deklaruar se për këtë Lëvizje, nuk është e rëndësishme renditja që u bëhet nga anketat e ndryshme. Megjithatë, pohon seVetëvendosje po punon për ta marrë Prishtinën.

“Neve nuk na intereson se a jemi të parët, apo të tretit edhe po të ishim të parët nuk do të ishte e rëndësishme për ne. Normalisht që ne jemi duke punuar që ta fitojmë Prishtinën, por me kësi anketash nuk merremi. Ne as nuk hidhërohemi e as nuk i gëzohemi këtyre anketave. Anketa më e mirë do të jenë zgjedhjet”, ka pohuar Selimi.

Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara lokale nuk ka hyrë në garë zgjedhore.

Edhe për Besnik Tahirin, i cili sërish është kandidat i AAK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, këto sondazhe janë të pasakta, pasi që, pretendon se qytetarët e Prishtinës janë të lidhur për ofertën e kandidatit, e jo për petkun e partisë.

“Ky sondazh nuk është i saktë, për faktin se ende nuk dihen ende kandidatët që do të konkurrojnë për Prishtinën. Punën që ne po e bëjmë në terren tregon që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në rrugë të mirë për ta marrë Prishtinën. Problemi është se sistemi në qeverisjen lokale, qytetari lidhet për ofertën që e jep kryetari, e jo partia politike. Unë jam i bindur se prishtinasit do të lidhen për ofertën e kandidatit”, ka thënë Tahiri.

AAK në zgjedhjet e kaluara ka konkurruar me të njëjtin kandidatë dhe ka fituar 3,758 vota apo 5,47% .

Ndryshe, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pas një takimi që ka zhvilluar ditë më parë me përfaqësuesin e BE-së, Samule Zbogar, kanë arritur pajtueshmërinë që zgjedhjetkomunale të mbahen në gjithë territorin e Kosovës dhe se konform marrëveshjes së arritur në Bruksel. Ndërkohë janë konsideruar datat 20 dhe 27 tetor, si data të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndonëse ishte kërkesë e partive opozitare që zgjedhjet komunale të mbahen në fund të shtatorit apo më së largu në gjysmën e parë të tetorit, këto propozime, nuk janë marrë parasysh, pasi ato do të mbahen më 20 apo 27 tetor.

Anketa është zhvilluar me subjekte politike sepse Partitë politike akoma nuk i kanë bërë publik kandidatët, përveç AAK-së.

Të drejtë votimi, vetëm njëherë nga një IP në këtë anketë Online kanë pasur të gjithë qytetarët nga vendet e ndryshme dhe jo vetëm nga Prishtina si pasojë e mungesës së IP-ve për Kosovën .

Postuar nga Lajmonline: 11:14; 20/6/2013