Pritet garë e fortë për Prishtinën

Fitorja në kryeqytet vlerësohet si shumë e rëndësishme për të gjitha partitë për faktin se kjo mund t’u rrisë numrin e votave partive edhe në zgjedhjet e përgjithshme, prandaj disa parti tash thuajse kanë filluar fushatën para kohe në kryeqendrën e Kosovës

Përparim Bublaku

Prishtinë - Partitë politike në vjeshtën e këtij viti do të fillojnë t’i masin forcat e tyre se kush do të fitojë zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovë. Pa dyshim se njërën nga komunat që e ëndërrojnë të gjitha partitë politike për ta fituar, është ajo e Prishtinës.

Fitorja në kryeqytet vlerësohet si shumë e rëndësishme për të gjitha partitë për faktin se kjo mund t’u rrisë numrin e votave partive edhe në zgjedhjet e përgjithshme, prandaj edhe disa parti tash thuajse kanë filluar fushatën para kohe në kryeqendrën e Kosovës.

Se gara për ta fituar Prishtinën, do të jetë e fortë edhe këtë vit, nuk e mohojnë as përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë politikë. Bekim Salihu, përgjegjës për qeverisje lokale në Institutin GAP, ka thënë se zgjedhjet për Prishtinën edhe në të kaluarën, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbeten me interes të veçantë për subjektet politike.

Sipas tij, triumfi politik në Prishtinë, nga subjektet politike përcaktohet dhe interpretohet në formë antike ‘marrja e kështjellës’. Ky lloj i perceptimit është i gabueshëm dhe trumbetohet nga ata që nuk kanë shumë njohuri për qeverisjen lokale dhe ndërlidhshmërinë në mes pushtetit lokal dhe atij qendror. “Nga ajo që duket aktualisht, subjektet politike, apo disa nga to, kanë filluar qysh tani të ushtrojnë aktivitete të cilat janë tipike të fushatës parazgjedhore.

Zhvillimet në Prishtinë në katër vitet e fundit kanë nevojë të trajtohen, analizohen dhe debatohen, por jo me ngjyrime e orientime politike, por me një këndvështrim real dhe profesional”, ka thënë Salihu. Ai ka thënë se nuk mund të flitet se kush do të fitojë garën për Prishtinën, pasi do të duhet zhvilluar hulumtime të opinionit publik për të parë se cila parti apo cili kandidat i ka gjasat më të mëdha. “Partitë politike duket të kenë bërë vlerësime të tilla qysh tani në kryeqytet dhe pak a shumë çdonjëra prej tyre e di ku është me pëlqyeshmëri, përkatësisht rezultat”, është shprehur Salihu.

Edhe Seb Bytyqi nga Instituti Ballkanik i Politikave, ka thënë se gara për kryeqytetin është shumë e rëndësishme, sidomos për dy partitë më të mëdha PDK e LDK, se LDK e sheh Prishtinën si kështjellë të saj, kurse PDK e sheh si cak që duhet marrë patjetër. “Kjo garë do të jetë më e fortë, për faktin se kemi forcën e re, Vetëvendosjen, kurse PDK e sheh si të domosdoshme ta fitojë Prishtinën, dhe LDK ende e ka bazën në Prishtinë.

Gjithashtu edhe AKR e ka bazën rajonale në Gollak, dhe mundohet të ketë rezultate të mira në Prishtinë”, është shprehur Bytyqi. Ai vlerëson se gara më e fortë do të zhvillohet në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Ndërkaq, analisti Nexhmedin Spahiu, thotë se këtë vit gara për Prishtinën, do të jetë më e fortë për vet faktin se vetëdija jonë po ngritet, kjo gjë çon drejt asaj se me cilët kandidatë po garojnë secila parti, veçoritë e tyre, biografia e tyre.

Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, është favorite për ta fituar Prishtinën, por ka thënë se nëse LDK do ta humbiste Prishtinën, do të ishte katastrofë për këtë parti.

Sipas tij, fitorja në kryeqytet mund të ketë një ndikim në rritjen e votuesit për zgjedhjet nacionale, por sipas tij është Mitrovica, qyteti çelës për të ardhmen e Kosovës. “Unë mendoj se politikisht rëndësi për zgjedhjet nacionale ka se kush e fiton Mitrovicën dhe jo Prishtinën.

Mitrovica është qyteti çelës për të ardhmen e Kosovës, zakonisht në historinë e pasluftës ai që ka pasur Mitrovicën, e ka pasur edhe nivelin nacional”, ka thënë Spahiu. Prishtinën që nga paslufta e ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq që zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të bëhen në vjeshtë të këtij viti.

Deri më tani përveç AAK-së, asnjëra parti nuk ka bërë zyrtar kandidatin e saj për Prishtinën.

Postuar nga Lajmonline: 10:52; 30/4/2013